MESAZHI E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT,
PËR DITËN E 51-TË BOTËRORE
TË LUTJES PËR THIRRJET
11 MAJ 2014 – E DIELA IV E PASHKËS
Tema: Thirrjet, dëshmi e të vërtetës
Të dashur vëllezër e motra!
1. Ungjilli tregon se “Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat ... Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. Atëherë u tha nxënësve të vet: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta”” (Mt 9,35-38). Këto fjalë na habisin, pasi të gjithë e dimë se së pari duhet punuar toka, të mbillet e t’i bëhet shërbimi bimëve që të mundemi pastaj, në kohën e duhur, të kemi të korra të bollshme. Përkundrazi, Jezusi pohon se “të korrat janë të mëdha”. Po kush punoi që ta kemi një rezultat të tillë? Përgjigja është vetëm një: Hyji. Natyrisht se fusha për të cilën flet Jezusi është njerëzimi, jemi ne. Dhe veprimi i efektshëm që shkakton “shumë fryt” është hiri i Hyjit, bashkimi me Të (krh Gjn 15,5). Prandaj, lutja që Jezusi ia kërkon Kishës ka të bëjë me kërkesën që të rritet numri i atyre që janë në shërbim të Mbretërisë së tij. Shën Pali, që ka qenë njëri prej këtyre “bashkëpunëtorëve të Hyjit”, e ka vënë veten e vet në dispozicion në mënyrë të palodhshme për çështjen e Ungjillit dhe të Kishës. Me vetëdijen e atij që e ka përjetuar personalisht se sa e padepërtueshme është vullneti shëlbues i Hyjit dhe se hiri është origjina e çdo thirrjeje, Apostulli u kujton të krishterëve të Korintit: “Ju jeni ara e Hyjit” (1 Kor 3,9). Për këtë arsye, buron brenda zemrës tonë, së pari, habia për të korrat e mëdha që vetëm Hyji mund t’i rrisë; e pastaj mirënjohja për një dashuri që gjithmonë na paraprin; e në fund, adhurimi për veprën e kryer prej Tij, që e kërkon bashkimin tonë të lirë për të vepruar me Të dhe për Të.
2. Shumë herë jemi lutur me fjalët e Psalmistit: “Ai na krijoi e atij i përkasim: jemi populli i tij dhe delet e kullosës së tij” (Ps 100,3); ose edhe: “Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, Izraelin për pronën e vet” (Ps 135,4). E ne jemi “pronë” e Hyjit jo në kuptimin e zotërimit që kthen në skllevër, por në kuptimin e një lidhjeje të fortë që na bashkon me Hyjin dhe mes nesh, sipas një besëlidhjeje që mbetet në amshim “sepse e amshueshme është dashuria e tij” (Ps 136). Në tregimin për thirrjen e Jeremisë profet, për shembull, Hyji kujton se Ai bën rojë vazhdimisht mbi secilin njeri derisa të realizohet Fjala e tij në ne. Imazhi i marrë është ai i degës së bajames që lulëzon përpara të gjitha pemëve të tjera, duke e lajmëruar rilindjen e jetës në pranverë (krh Jer 1,11-12). Gjithçka vjen prej Tij dhe është dhuratë e tij: bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja, por – na siguron Apostulli – “ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit” (1 Kor 3,23). Ja se si shpjegohet mënyra e përkatësisë tonë Hyjit: përmes marrëdhënies unike dhe personale me Jezusin, që Pagëzimi na e ka dhuruar që prej fillimit të rilindjes tonë në jetën e re. Prandaj, është Krishti ai që vazhdimisht na thërret me Fjalën e tij derisa ta vendosim besimin në Të, duke e dashur atë “me gjithë zemër, me gjithë mendje e me gjithë forcën” (Mk 12,33). E kështu çdo thirrje, edhe pse në mënyra të shumëllojshme, kërkon gjithmonë një dalje nga vetvetja për ta qendërzuar ekzistencën e vet në Krishtin e në Ungjillin e tij. Si në jetën bashkëshortore, ashtu edhe në format e kushtimit rregulltar, apo në jetën meshtarake, duhen tejkaluar mënyrat e mendimit dhe veprimit që nuk përputhen me vullnetin e Hyjit. Është një “dalje që na çon drejt një ecjeje adhurimi të Zotit për t’i shërbyer Atij në vëllezërit dhe motrat” (Fjalimi gjatë Takimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme, 8 maj 2013). Prandaj, jemi të gjithë të thirrur që ta adhurojmë Krishtin në zemrat tona (krh 1 Pjt 3,15) për ta lënë veten që të na mbërrijë impulsi i hirit që e ka brenda fara e Fjalës, e cila duhet të rritet në ne dhe të shndërrohet në shërbim konkret ndaj të afërmit. Nuk duhet të kemi frikë: Hyji e ndjek me pasion dhe me mjeshtëri veprën që del prej duarve të tij, në çdo stinë të jetës. Ai nuk na braktis kurrë! Ai e ka për zemër kryerjen e projektit të tij në ne dhe, prapëseprapë, kërkon që ta kryejë atë me pëlqimin dhe bashkëpunimin tonë.
3. Edhe sot Jezusi jeton dhe ecën në realitetet tona të jetës së përditshme për t’iu afruar të gjithëve, duke filluar prej atyre të fundit, dhe na shëron nga plagët dhe sëmundjet tona. Iu drejtohem tani atyre që janë të gatshëm që të vihen në dëgjim të zërit të Krishtit që jehon në Kishë, për të kuptuar se cila është thirrja e tyre personale. Ju ftoj që ta dëgjoni dhe ta ndiqni Jezusin, që të lejoni të shndërroheni për së brendshmi nga fjalët e tij që “janë shpirt dhe jetë” (Gjn 6,62). Maria, nëna e Jezusit dhe nëna jonë, na i përsërit edhe neve fjalët: “Bëni çfarë t’ju thotë” (Gjn 2,5). Do t’ju bëjë mirë pjesëmarrja me besim në një ecje bashkësiore që di t’i nxjerrë jashtë në ju dhe përreth jush energjitë më të mira. Thirrja është një fryt që piqet në fushën që punohet mirë me dashuri të ndërsjellët dhe që bëhet shërbim për njëri-tjetrin, në kontekstin e një jete të vërtetë kishtare. Asnjë thirrje nuk lind prej vetvetes apo jeton për vetveten. Thirrja buron nga zemra e Hyjit dhe lulëzon në tokën e mirë të popullit besimtar, në përvojën e dashurisë vëllazërore. A nuk ka thënë Jezusi: “Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gv 13,35)?
4. Të dashur vallezër e motra, jetimi i kësaj “përmase të lartë të jetës së përditshme të krishterë” (krh Papa Gjon Pali II, Letra Apostolike Novo millennio ineunte, 31), do të thotë që nganjëherë të shkosh kundër rrymës dhe bën që të hasim edhe në pengesa, jashtë nesh e brenda nesh. Vetë Jezusi na paralajmëron: fara e mirë e Fjalës së Zotit shpesh na vidhet nga i Keqi, bllokohet nga turbullimet, mbytet nga shqetësimet dhe joshjet e botës (krh Mt 13,19-22). Të gjitha këto vështirësi mund të na shkurajojnë, duke bërë që të marrim rrugë në dukje më të rehatshme. Por, gëzimi i vërtetë i të thirrurve qëndron në besimin dhe përjetimin se Ai, Zoti, është besnik, dhe se me Të mund të ecim, mund të jemi dishepuj dhe dëshmitarë të dashurisë së Hyjit, mund ta hapim zemrën për ideale të mëdha, për gjëra të mëdha. “Ne të krishterët nuk jemi zgjedhur nga Zoti për gjëra të vogla, shkoni gjithmonë përtej, drejt gjërave të mëdha. Luani me jetën tuaj për ideale të mëdha!” (Homelia gjatë Meshës për ata që përgatiten për krezmim, 28 prill 2013). Juve Ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, bashkësive dhe familjeve të krishtera, ju kërkoj që ta orientoni baritoren e thirrjeve në këtë drejtim, duke i shoqëruar të rinjtë nëpër rrugët e shenjtërisë që, duke qenë personale, “kërkojnë një pedagogji të vërtetë e të mirëfilltë shenjtërie, që është në gjendje t’iu përshtatet ritmeve të personave të veçantë. Ajo duhet të integrojë pasuritë e propozimit që iu drejtohet të gjithëve me format tradicionale të ndihmës personale dhe në grup dhe me format më të fundit të ofruara në shoqatat dhe në lëvizjet e njohura nga Kisha” (Papa Gjon Pali II, Letra Apostolike Novo millennio ineunte, 31).
Prandaj, le ta përgatisim zemrën tonë që të jemi “tokë e mirë” për ta dëgjuar, pranuar dhe jetuar Fjalën dhe kështu të japim fryt. Sa më shumë të dimë të bashkohemi me Jezusin me anë të lutjes, Shkrimit të shenjtë, Eukaristisë, Sakramentet e kremtuara dhe të jetuara në Kishë, me vëllazërinë e jetuar, aq më shumë do të rritet në ne gëzimi i bashkëpunimit me Hyjin në shërbim të Mbretërisë së mëshirës dhe të të vërtetës, të drejtësisë dhe të paqes. Dhe korrja do të jetë e begatë, në përpjestim me hirin që me urtësi do të dimë ta pranojmë në ne. Me këtë urim, dhe duke ju kërkuar që të luteni për mua, ju jap të gjithëve prej zemrës Bekimin tim Apostolik.
Nga Vatikani, 15 janar 2014
PAPA FRANÇESKU
Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana