MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
PËR DITËN E XXXVII –të BOTËRORE TË RINISË 2022-2023
«Maria u ngrit dhe u nis me nxitim» (Lk 1,39)
Të dashur të rinj!
Tema e DBR-së në Panama ishte: “Unë jam shërbëtorja e Zotit! Më ndodhtë siç the ti”. (Lk 1:38) Pas asaj ngjarjeje, rifilluam rrugën tonë drejt një qëllimi të ri – Lisbonë 2023 – duke lejuar që të jehonte në zemrat tona ftesa urgjente e Hyjit për t’u çuar. Në vitin 2020 medituam mbi fjalën e Jezusit: “Djalosh, ty po të them, çohu!” (khr. Lk 7:14) Vitin e kaluar na frymëzoi figura e Shën Palit Apostull, të cilit Zoti i Ringjallur i tha: “Çohu! Unë të bëj dëshmitar të asaj çka pe”. (krh. Vap 26:16) Në shtrirjen kohore që ende mungon për të arritur në Lisbonë, do të ecim së bashku me Virgjërën e Nazaretit, e cila, menjëherë pas Lajmërimit, “u ngrit dhe u nis me nxitim” (Lk 1:39) për të shkuar që të ndihmojë kushërirën e saj Elizabetë. Folja e përbashkët për të tri temat është të ngriturit, shprehje që – është mirë të kujtohet – merr edhe kuptimin “rilind”, “rikthehesh në jetë”.
Në këto kohët e fundit kaq të vështira, në të cilat njerëzimi, tashmë i sprovuar nga trauma e pandemisë, është dërrmuar nga drama e luftës, Maria rihap për të gjithë dhe në veçanti për ju, të rinj si ajo, rrugën e afërsisë dhe takimit. Shpresoj, dhe besoj fort, se përvoja që shumë prej jush do të përjetojnë në Lisbonë në gusht të vitit të ardhshëm do të përfaqësojë një fillim të ri për ju të rinj dhe – me ju – për mbarë njerëzimin.
Maria u çua
Maria, pas Lajmërimit, mund të ishte përqendruar te vetvetja, te shqetësimet dhe frika për shkak të gjendjes së saj të re. Përkundrazi jo, ajo i besohet plotësisht Hyjit. Mendon, për më tepër, për Elizabetën. Ngrihet dhe del në dritën e diellit, ku ka jetë dhe lëvizje. Pavarësisht se njoftimi tronditës i engjëllit shkaktoi një “tërmet” në planet e saj, e reja nuk e lejon veten të paralizohet, sepse brenda saj është Jezusi, fuqia e ringjalljes. Brenda vetes mbart tashmë Qengjin e flijuar, por gjithmonë i gjallë. Ngrihet dhe vihet në lëvizje, sepse është e sigurtë se plani i Hyjit është plani më i mirë i mundshëm për jetën e saj. Maria bëhet tempulli i Hyjit, imazh i Kishës në ecje, Kisha që del dhe që vihet në shërbim, bartësja e Kishës së Lajmit të Mirë!
Të përjetosh praninë e Krishtit të ringjallur në jetën tënde, ta takosh “të gjallë”, është gëzimi më i madh shpirtëror, një shpërthim drite që nuk mund të lërë “të ndalur” askënd. Na vë menjëherë në lëvizje dhe na shtyn që t’ua çojmë të tjerëve këtë lajm, për të dëshmuar gëzimin e këtij takimi. Kjo është çka gjallëron nxitimin e dishepujve të parë në ditët pas ringjalljes: “Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij”. (Mt 28,8)
Rrëfimet e ringjalljes përdorin shpesh dy folje: zgjohu dhe çohu. Me to Zoti na nxit të dalim në dritë, të lejohemi të udhëhiqemi prej Tij për të kapërcyer pragun e të gjitha dyerve tona të mbyllura. “Është një imazh domethënës për Kishën. Edhe ne si dishepuj të Zotit dhe si Bashkësi e krishterë jemi thirrur të çohemi me nxitim për të hyrë në dinamizmin e ringjalljes dhe për të lejuar të udhëhiqemi nga Zoti në rrugët që Ai dëshiron të na tregojë”. Homelia në Solemnitetin e Shenjtërve Pjetër e Pal, 29 qershor 2022)
Nëna e Zotit është model për të rinjtë në lëvizje, jo të palëvizshëm para pasqyrës për të soditur imazhin e tyre ose të “zënë në kurth” në rrjeta. Ajo është e gjitha e projektuar drejt së jashtmes. Është gruaja pashkvore, në një gjendje të përhershme daljeje, e daljes nga vetja drejt të Tjetrit më të madh që është Hyji dhe ndaj të tjerëve, vëllezërve dhe motrave, veçanërisht atyre që kanë më shumë nevojë, siç ishte kushërira Elizabetë.
…e u largua me nxitim
Shën Ambrozi i Milanos, në komentin e tij për Ungjillin e Lukës, shkruan se Maria u nis me nxitim drejt malit “sepse ishte e lumtur prej premtimit dhe e etur të kryente me përkushtim një shërbim, me entuziazmin që vinte nga gëzimi i brendshëm. Ku, tash, e mbushur me Hyjin, do të nxitonte të shkonte, nëse jo drejt së lartmi? Hiri i Shpirtit të Shenjtë nuk përfshin ngadalësi”. Prandaj, nxitimi i Marisë është kujdesi ndaj shërbimit, shpalljes së gëzueshme, e përgjigjes me gatishmëri ndaj hirit të Shpirtit të Shenjtë.
Maria e la veten të përfshihet në nevojën e kushërirës të saj të moshuar. Nuk u zmbraps, nuk qëndroi indiferente. Mendoi më shumë për të tjerët sesa për veten. Dhe kjo i ka dhënë dinamizëm dhe entuziazëm jetës së saj. Secili prej jush mund të pyesë veten: si reagoj ndaj nevojave që shoh përreth meje? A mendoj menjëherë një justifikim për t'u hequr mënjanë apo interesohem dhe bëhem i gjendshëm? Sigurisht, nuk mund t’i zgjidhni të gjitha problemet e botës. Por mbase mund të filloni nga ato të njerëzve më të afërt, nga çështjet rreth territorit tuaj. Një herë i thanë Nënë Terezës: “Ajo çka ti bën është vetëm një pikë në oqean”. Dhe ajo u përgjigj: “Por nëse nuk do ta bëja, oqeani do të kishte një pikë më pak”.
Përballë një nevoje konkrete dhe urgjente, duhet të veprojmë me nxitim. Sa njerëz në botë presin vizitën e dikujt që të kujdeset për ta! Sa të moshuar, të sëmurë, të burgosur, refugjatë kanë nevojë për vështrimin tonë të dhembshur, për vizitën tonë, për një vëlla a motër që shkon përtej barrierave të indiferencës!
Çfarë “nxitimi” ju vë në lëvizje të dashur të rinj? Çfarë ju bën të ndieni nevojën urgjente për të lëvizur, aq sa nuk jeni në gjendje të qëndroni të ndalur? Shumë – të prekur nga realitete si pandemia, lufta, migrimi i detyruar, varfëria, dhuna, fatkeqësitë klimatike – i bëjnë vetes pyetjen: pse më ndodh mua kjo? Pse pikërisht mua? Pse tani? E atëherë pyetja qendrore e ekzistencës sonë është: për kë jam unë? (krh. Nxitja Apostolike Postsin. Christus vivit, 286).
Nxitimi i gruas së re nga Nazareti është tipik i atyre që kanë marrë dhurata të jashtëzakonshme nga Zoti dhe nuk mund të mos e bashkëndajnë, që të vërshojë hiri i pamasë që kanë përjetuar. Është nxitimi i atyre që dinë t’i vendosin nevojat e të tjerëve mbi nevojat e tyre. Maria është shembulli i të resë që nuk humbet kohë duke kërkuar vëmendjen ose pëlqimin e të tjerëve – siç ndodh kur ne varemi nga “pëlqimet” në mediat sociale –, por lëviz për të kërkuar lidhjen më të vërtetë, atë që vjen nga takimi, nga bashkëndarja, nga dashuria dhe shërbimi.
Prej Lajmërimit e më pas, që kur u nis për herë të parë për të vizituar kushëririn e saj, Maria nuk ndalet kurrë së përshkuari hapësirat dhe kohët për të vizituar fëmijët e saj nevojtarë për ndihmën e saj të kujdesshme. Ecja jonë, nëse banohet nga Hyjji, na çon drejt e në zemrën e secilit prej vëllezërve dhe motrave tona. Sa shumë dëshmi na vijnë nga njerëz të “vizituar” nga Maria, Nëna e Jezusit dhe Nëna jonë! Në sa vende të largëta të tokës, përgjatë shekujve – me shfaqje apo hire të veçanta – Maria ka vizituar popullin e saj! Praktikisht nuk ekziston një vend në këtë tokë që të mos jetë vizituar prej Saj. Nëna e Hyjit ecën mes popullit të saj, e prekur nga një butësi e kujdesshme dhe merr përsipër ankthet dhe peripecitë. Dhe kudo ku gjendet një vend i shenjtë, një kishë, një kishëz kushtuar asaj, ku dynden fëmijët e saj të shumtë. Sa shprehje e devotshmërisë popullore! Pelegrinazhet, festat, lutjet, prania e imazheve në shtëpi e shumë të tjera janë shembuj konkretë të marrëdhënies së gjallë mes Nënës së Zotit dhe popullit të saj, që vizitojnë njëri-tjetrin!
Nxitimi i mirë na shtyn gjithnjë drejt së lartmi dhe drejt tjetrit
Nxitimi i mirë na shtyn gjithmonë drejt së lartmi dhe drejt tjetrit. Përkundrazi, është edhe nxitimi jo i mirë, si për shembull ai që na bën të jetojmë sipërfaqësisht, të marrim gjithçka lehtë, pa përkushtim apo kujdes, pa marrë pjesë realisht në gjërat që bëjmë; ngutja kur jetojmë, studiojmë, punojmë, frekuentohemi me të tjerët pa përfshirë mendjen dhe aq më pak zemrën. Mund të ndodhë në marrëdhëniet ndërpersonale: në familje, kur nuk i dëgjojmë me të vërtetë të tjerët dhe nuk u kushtojmë kohë; në miqësi, kur presim që një mik të na dëfrejë dhe t’u përgjigjet kërkesave tona, por menjëherë e shmangim dhe shkojmë te një tjetër nëse vërejmë se është në krizë dhe ka nevojë për ne; madje edhe në marrëdhëniet afektive, mes të fejuarve, të paktë janë ata që kanë durimin ta njohin dhe ta kuptojnë njëri-tjetrin tërësisht. Këtë qëndrim mund ta kemi në shkollë, në punë dhe në ambiente të tjera të jetës së përditshme. Epo Mirë po, të gjitha këto gjëra të jetuara me nxitim vështirë se do të japin fryte. Ekziston rreziku që të mbeten shterpë. Kështu thuhet në librin e Fjalëve të Urta: “Synimet e të kujdesshmit gjithmonë shpien në bollëk, kurse kush ngutet, mbetet në skamje”. (21.5)
Kur Maria më në fund mbërrin në shtëpinë e Zakarisë dhe Elizabetës, ndodh një takim i mrekullueshëm! Elizabeta ka përjetuar në vetvete një ndërhyrje të jashtëzakonshme të Hyjit, i cili i dha asaj një djalë në moshën e tretë. Kishte plotësisht të drejtë të fliste fillimisht për veten, por nuk është plot me veten, por është e hapur për të mirëpritur kushërirën e re dhe frytin e kraharorit të saj. Sapo dëgjon përshëndetjen e saj, Elizabeta mbushet me Shpirtin e Shenjtë. Këto befasi dhe veprime të Shpirtit ndodhin kur ne përjetojmë mikpritjen e vërtetë, kur në qendër vëmë mikun, jo veten. Kjo çka shohim në historinë e Zakeut. Te Luka 19,6 lexojmë: “Kur Jezusi erdhi në atë vend [ku ishte Zakeu], ngriti sytë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!”. Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim”.
Shumë prej neve na ka ndodhur që, papritur, Jezusi të ketë ardhur të na takojë: për herë të parë, tek Ai kemi përjetuar afërsi, respekt, mungesë paragjykimesh dhe dënimesh, një vështrim të mëshirshëm që nuk e kishim takuar kurrë te të tjerët. Jo vetëm kaq, kemi ndier se Jezusit nuk i mjaftonte që të na shikonte prej së largu, por donte të ishte me ne, donte të ndante jetën e tij me ne. Gëzimi i kësaj përvoje ka zgjuar te ne nxitimin për ta mirëpritur, urgjencën për të qenë me Të dhe për ta njohur më mirë. Elizabeta dhe Zakaria kanë mirëpritur Marinë dhe Jezusin! Le të mësojmë prej këtyre të moshuarve kuptimin e mikpritjes! Pyetni prindërit dhe gjyshërit tuaj, si dhe anëtarët më të vjetër të bashkësive tuaja, çfarë do të thotë për ta të jenë mikpritës ndaj Hyjit dhe ndaj të tjerëve. Do t’ju bëjë mirë të dëgjoni përvojën e atyre që na kanë paraprirë.
Të dashur të rinj, është koha që të rinisemi me nxitim drejt takimeve konkrete, drejt një mirëpritjeje reale ndaj atyre që janë ndryshe nga ne, siç ndodh mes Marisë së re dhe të moshurës Elizabetë. Vetëm kështu do t’i kapërcejmë distancat – midis brezave, klasave shoqërore, etnive, grupeve dhe kategorive të të gjitha llojeve – madje edhe luftërat. Të rinjtë janë gjithmonë shpresa e një bashkimi të ri për njerëzimin e fragmentuar dhe të ndarë. Por vetëm nëse kanë kujtesën, vetëm nëse dëgjojnë dramat dhe ëndrrat e të moshuarve. “Nuk është rastësi që lufta është kthyer në Evropë në momentin kur brezi që e ka jetuar në shekullin e kaluar po zhduket”. (Mesazh për Ditën e II-të Botërore të gjyshërve dhe të të moshuarve). Është e nevojshme një aleancë mes të rinjve dhe të moshuarve, për të mos harruar mësimet e historisë, për të kapërcyer polarizimet dhe ekstremizmat e kësaj kohe.
Duke u shkruar Efesianëve, Shën Pali shpallte: “Në Jezu Krishtin, ju, që ishit ‘larg’, erdhët ‘ngjat’ –në sajë të gjakut të Krishtit. Përnjëmend, Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, d.m.th. armiqësinë – në trupin e vet”. (2,13-14) Jezusi është përgjigja e Hyjit ndaj sfidave të njerëzimit në çdo kohë. Dhe këtë përgjigje, Maria e mbart brenda vetes kur shkon të takojë Elizabetën. Dhurata më e madhe që Maria i bën të afërmes së saj të moshuar është t’i çojë Jezusin. Sigurisht që edhe ndihma konkrete është shumë e çmuar. Por asgjë nuk do ta kishte mbushur shtëpinë e Zakarisë me një gëzim kaq të madh dhe me një kuptim kaq të plotë se sa prania e Jezusit në kraharorin e Virgjërës, bërë tabernakulli i Hyjit të gjallë. Në atë rajon malor, Jezusi, me praninë e tij të thjeshtë, pa thënë asnjë fjalë shqipton “fjalimin e tij të parë në mal”: shpall në heshtje lumturitë e të vegjëlve dhe të të përulurve që i besohen mëshirës së Hyjit.
Mesazhi im për ju të rinj, mesazhi i madh që përcjell Kisha është Jezusi! Po, Ai vetë, dashuria e tij e pafund për secilin prej nesh, shpëtimi i tij dhe jeta e re që na ka dhuruar. Dhe Maria është modeli se si ta mirëpresim këtë dhuratë të pamasë në jetën tonë dhe t’ua komunikojmë të tjerëve, duke na bërë edhe ne bartës të Krishtit, bartës të dashurisë së tij të dhembshur, të shërbimit të tij bujar ndaj njerëzimit që vuan.
Të gjithë së bashku në Lisbonë!
Maria ishte një vajzë si shumë prej jush. Ishte njëra prej nesh. Kështu shkruante për të ipeshkvi Tonino Bello: “Shenjta Mari, […] e dimë mirë se ke qenë e destinuar të lundroje në det të hapur. Por nëse të detyrojmë të lundrosh nën bregdet, nuk është sepse duam të të reduktojmë në nivelet e bregdetit tonë të vogël. Kjo ndodh sepse, duke të parë kaq afër brigjeve të dekurajimit tonë, të mund të ndërgjegjësohemi se edhe ne jemi të thirrur për të hyrë, sikurse ti, në oqeanet e lirisë”. (Maria, gruaja e ditëve tona, Shën Pali, Cinisello Balsamo 2012, 12-13).
Nga Portugalia, siç kujtova në Mesazhin e parë të kësaj trilogjie, në shekujt XV-të dhe XVI-të shumë të rinj – duke përfshirë shumë misionarë – u nisën drejt botëve të panjohura, edhe për të bashkëndarë përvojën e tyre të Jezusit me popujt dhe kombet e tjera (krh. Mesazh për DBR-në 2020). E kësaj toke, në fillim të shekullit XX, Maria ka dashur t’i bëjë një vizitë të veçantë, kur nga Fatima dha, për të gjitha brezat, mesazhin e fuqishëm dhe të mrekullueshëm të dashurisë së Hyjit që thërret kah kthimi, kah liria e vërtetë. Secilit prej jush u përtërij ftesën time të përzemërt për të marrë pjesë në pelegrinazhin e madh ndërkontinental të të rinjve, i cili do të kulmojë në DBR-në në Lisbonë në gusht të vitit të ardhshëm; dhe ju kujtoj se më 20 nëntor, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, do të kremtojmë Ditën Botërore të të Rinjve në kishat e veçanta të shpërndara në mbarë botën. Për këtë qëllim, dokumenti i fundit i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën – Udhëzimet baritore për kremtimin e DBR-së në Kishat e veçanta – mund të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë ata që punojnë në baritoren rinore.
Të dashur të rinj, ëndërroj që në DBR-në të përjetoni sërish gëzimin e takimit me Hyjin dhe me vëllezërit e motrat. Pas periudhave të gjata të largësisë dhe izolimit, në Lisbonë – me ndihmën e Hyjit – do të rigjejmë së bashku gëzimin e përqafimit vëllazëror midis popujve dhe brezave, përqafimin e pajtimit dhe paqes, përqafimin e një vëllazërimi të ri misionar! Shpirti i Shenjtë le të ndezë në zemrat tuaja dëshirën për t’u çuar dhe gëzimin për të ecur të gjithë së bashku, me një stil sinodal, duke braktisur kufijtë e rremë. Koha për t’u çuar është tani! Të ngrihemi me nxitim! E si Maria le ta mbajmë Jezusin brenda nesh për t’ua komunikuar të gjithëve! Në këtë kohë të bukur të jetës suaj, vazhdoni përpara, mos e shtyni për më vonë çka Shpirti mund të përmbushë në ju! Bekoj nga zemra ëndrrat dhe hapat tuaj!
Romë, Shën Gjoni në Lateran, 15 gusht 2022, Solemniteti i Ngjitjes së Virgjërës së Bekuar Mari
FRANÇESKU
Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana